Besimi
Rrëfimi i besimit i Kishës Ungjillore në Maqedoni
Shtatëmbëdhjetë nene të besimit.
Perëndia
Besojmë në Perëndinë, Zotin e plotfuqishëm, krijuesin dhe mbajtësin e qiellit dhe të tokës dhe të gjithçkaje që ekziston, të dukshme dhe të padukshme.
Triniteti i Shenjtë
Besojmë se Perëndia është një. Ai është qenie në bashkësi dhe Bibla flet për hyjninë në tri persona të ndryshëm, të cilët janë të pandashëm: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Prandaj, ne besojmë se ka vetëm një Perëndi, i cili është Triniteti i Shenjtë. Ai ka një natyrë, një thelb, një qenie, por Perëndia që nga përjetësia është në tri persona, të cilët janë njëkohësisht në unitet dhe në dallim.
Perëndia Ati
Besojmë në Perëndinë Atin, personin e parë të Trinitetit të Shenjtë. Sipas barazisë së qenies dhe unitetit të hyjnisë së Trinitetit të Shenjtë, Ai është Ati i Birit të vet të vetëmlindur. Si krijues, Ai është Ati i gjithë botës. Në veprën e shpëtimit, Ai është Ati i të zgjedhurve të Vet, duke u dhënë mundësinë të gjithë atyre që besojnë të bëhen bij të Perëndisë, të cilët i përkasin familjes së Perëndisë.
Perëndia Biri
Besojmë në Perëndinë Birin, të shfaqur në personin e Zotit Jezu Krisht. Ai është Biri i vetëmlindur i Perëndisë, i lindur nga Ati përpara të gjitha shekujve — dritë prej drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë; i lindur, jo i krijuar; i një qenieje me Atin; nëpërmjet të cilit u bë gjithçka. Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti nga qielli dhe u mishërua nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe virgjëreshës Mari dhe u bë njeri. Jezusi është një person me dy natyra, të cilat janë të papërziera, të pandara dhe të pashkëputura — Ai është plotësisht Perëndi dhe plotësisht njeri, Perëndi i vërtetë dhe njeri i vërtetë, me të njëjtën natyrë si Ati për sa i përket hyjnisë së Tij, dhe me të njëjtën natyrë si ne për sa i përket njerëzores së Tij. Sipas Biblës, Jezusi jetoi një jetë të përsosur pa mëkat, shëroi të sëmurët, bëri vepra të mira, mësoi dhe bëri mrekulli. Në fund vuajti dhe u kryqëzua në kryq, për shpëtimin tonë dhe si flijim shpengues për mëkatet tona. U varros dhe ditën e tretë u ringjall prej të vdekurve. U ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Atit. Ai është shpëtimtari i përjetshëm, i cili ndërmjetëson për ne. Jezusi do të vijë përsëri, në fuqi dhe lavdi, dhe do t’i gjykojë të gjallët dhe të vdekurit, dhe mbretëria e Tij nuk do të ketë fund.
Perëndia Fryma e Shenjtë
Besojmë në Perëndinë Frymën e Shenjtë, personin e tretë të Trinitetit të Shenjtë, të një qenieje me Atin dhe me Birin. Ai i dëshmon botës për mëkatin, për drejtësinë dhe për gjykimin. Ai dëshmon për Ungjillin dhe për të vërtetën rreth Jezusit dhe na thërret të vijmë tek Ai. Ai i çon besimtarët në pendim dhe u jep besim jetëdhënës. Fryma e Shenjtë e bën të mundur kthimin tonë dhe Ai është ai që na rilind dhe na dëshmon se jemi bërë bij të Perëndisë dhe se jemi shpëtuar. Ai na udhëheq në shenjtërim dhe fryti i veprës së Tij në ne janë veprat e mira që bëjmë si rezultat i kthimit dhe i rilindjes. Ai na ngushëllon, na mban, na forcon, na ndryshon dhe na udhëheq në çdo të vërtetë. Në këtë mënyrë, vepra shpëtimtare e Frymës së Shenjtë është absolutisht e domosdoshme dhe thelbësore për shpëtimin tonë. Fryma e Shenjtë është i gjallë dhe i pandryshueshëm. Edhe sot Ai i pagëzon dhe i mbush me fuqi besimtarët e Vet. Edhe sot Ai vepron nëpërmjet mrekullive dhe shenjave të ndryshme, shëron të sëmurët dhe u jep dhurata të ndryshme besimtarëve për dobi të përbashkët, përfshirë dhuratën e të folurit në gjuhë.
Kisha
Besojmë se kisha është populli besnik i Perëndisë, i cili është në bashkësi të shenjtë sipas vullnetit të Perëndisë, nën Zotërimin e Jezu Krishtit. Krishti është kreu i kishës. Kisha është trupi i Krishtit dhe tempulli i Frymës së Shenjtë. Kisha është një, e shenjtë, e përgjithshme dhe apostolike. Ajo kultivon bashkësinë ndërmjet besimtarëve, predikon fjalën e Perëndisë, i edukon dhe i ndërton besimtarët si dishepuj të Krishtit, të cilët luten bashkë, e lavdërojnë dhe e adhurojnë Perëndinë, u shërbejnë besimtarëve brenda kishës dhe njerëzve jashtë në botë, dhe e përcjellin besnikërisht Ungjillin e Krishtit, për shpëtimin e kujtdo që beson. Besojmë në priftërinë e të gjithë besimtarëve, por Perëndia gjithashtu thërret njerëz të cilët do të njihen dhe do të shugurohen për shërbesë të Perëndisë, si udhëheqës dhe barinj të kopesë së Tij.
Jeta e përjetshme
Besojmë në jetën e përjetshme dhe në ringjalljen e të vdekurve. Besimtarët, të cilët janë shfajësuar nëpërmjet besimit në Krishtin, do të ringjallen për jetë të përjetshme në parajsë, ndërsa jobesimtarët do të ringjallen për shkatërrim të përjetshëm në ferr, për shkak të paudhësive të tyre. Kjo botë do të kalojë, ndërsa satani dhe të gjitha fuqitë e errësirës do të mposhten. Zoti do të vendosë për popullin e Vet një qiell të ri dhe një tokë të re, ku nuk do të ketë asnjë të keqe, as vuajtje, as dhembje, as vaj, as trishtim, as vdekje, dhe mbretëria, lavdia dhe sundimi i Tij, bashkë me kishën e Tij, kurrë nuk do të kenë fund.
Bibla
Besojmë se Bibla është Shkrimi i Shenjtë i frymëzuar nga Perëndia dhe se Fryma e Shenjtë i frymëzoi shërbëtorët e Perëndisë, profetët dhe apostujt, që të shkruanin të gjithë librat e Dhiatës së Vjetër dhe të Dhiatës së Re. Shkrimi i Shenjtë përmban të gjitha informacionet që nevojiten për shpëtimin tonë dhe në këtë kuptim ai është Fjala e Perëndisë plotësisht e besueshme, e vërtetë dhe e pagabueshme. Bibla është kanoni ynë i vetëm, domethënë masa dhe autoriteti për çështjet që lidhen me besimin tonë dhe me praktikën tonë të besimit.
Njeriu dhe mëkati
Besojmë se njeriu — burri dhe gruaja — është kurora e krijimit të Perëndisë dhe se është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, që të sundojë dhe të qeverisë mbi gjithë krijimin. Çdo person ka dinjitet të lindur, për shkak të të cilit personi duhet të respektohet, të ndihmohet dhe të nderohet. Por njeriu ra në mëkat dhe nëpërmjet mëkatit fillestar i gjithë njerëzimi nga natyra u bë pashpresë mëkatar. Mëkati do të thotë humbje e qëllimit, rebelim kundër Perëndisë, vetëvullnetësi, paudhësi, mosbesim, mosbindje etj. Paga e mëkatit është vdekja, dhe kjo nënkupton vdekje frymërore, shpirtërore dhe trupore dhe ndarje të përjetshme nga Perëndia.
Shpëtimi me anë të hirit
Besojmë se njeriu mund të shpëtohet vetëm me anë të hirit të Perëndisë dhe nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin. Njeriu mëkatar nuk mund ta fitojë shpëtimin me përpjekjet e veta, me fuqinë e vet dhe nëpërmjet veprave të Ligjit. Shfajësimi vjen nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin dhe shpëtimi merret si dhuratë nga Zoti.
Besimi dhe rilindja
Besojmë se ai që beson se Jezusi është Zot, se Ai vdiq për mëkatet tona dhe se u ringjall prej të vdekurve, dhe që pendohet për mëkatet e veta dhe kthehet te Zoti, do të shpëtohet dhe do të rilindë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Njeriu i rilindur, i ripërtërirë nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ka fuqi t’i pëlqejë Perëndisë dhe të bëjë vepra të mira për lavdinë e Tij. Në këtë mënyrë, veprat e mira nuk janë kusht ose rrugë drejt shpëtimit, por prodhim ose fryt i shpëtimit të njeriut.
Shenjtërimi
Besojmë se shenjtërimi është akt i ndarjes nga ajo që është e keqe dhe i dorëzimit te Perëndia. Ai fillon pasi besimtari beson në Jezusin dhe rilind nëpërmjet Frymës së Shenjtë, dhe është një proces që nuk pushon derisa jemi gjallë. Shenjtërimi është gjithashtu vepër e hirit të Perëndisë nëpërmjet Fjalës, lutjeve dhe Frymës së Shenjtë, nëpërmjet të cilit pastrohemi nga mëkati në mendimet, fjalët dhe veprat tona, dhe na mundësohet të jetojmë në përputhje me vullnetin e Perëndisë, të mallëngjehemi për shenjtëri dhe t’i ngjajmë gjithnjë e më shumë Krishtit.
Rruga e vetme
Besojmë se Jezu Krishti është udha, e vërteta dhe jeta, dhe askush nuk vjen tek Ati veçse nëpërmjet Tij. Jezusi është ndërmjetësi i vetëm te Perëndia dhe shpëtimtari i vetëm i botës, dhe nuk ka emër tjetër dhe nuk ka mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës do të mund të shpëtoheshim.
Porosia e Madhe
Besojmë se kisha, domethënë të gjithë besimtarët, jemi thirrur të marrim pjesë në Porosinë e Madhe dhe t’ua predikojmë Ungjillin e Krishtit të gjithë njerëzve nga të gjithë popujt, që të kenë mundësi të dëgjojnë lajmin e gëzuar, të besojnë në Jezusin dhe të shpëtohen. Fryma e Shenjtë është Frymë misionare, prandaj ungjillëzimi duhet të buronte spontanisht nga kisha e mbushur me Frymën e Shenjtë. Kisha që nuk ungjillëzon është e pabindur ndaj urdhrit të Zotit dhe duhet të lutet për një mbushje të re, bindje dhe fuqi nga Fryma e Shenjtë. Ungjillëzimi botëror kërkon që e gjithë kisha t’ia përcjellë të gjithë Ungjillin gjithë botës.
Sakramentet
Besojmë se Zoti ynë Jezu Krisht na urdhëroi praktikimin e dy sakramenteve (misteret e shenjta), dhe këto janë pagëzimi dhe Darka e Zotit. Sakramenti përfaqëson një shenjë të jashtme dhe të dukshme të hirit të brendshëm dhe të padukshëm. Pagëzimi është sakramenti i parë nëpërmjet të cilit ai që ka besuar në Jezusin dhe ka rilindur nëpërmjet besimit, me shenjën e dukshme të zhytjes në ujë nga një përfaqësues i kishës, në emër të Atit dhe të Birit dhe të Frymës së Shenjtë, lidh një besëlidhje besimi me Perëndinë, para dëshmitarëve të kishës. Zhytja në ujë është shprehje e pastrimit, domethënë e vdekjes ndaj mëkatit, bashkë me Krishtin, dhe e ringjalljes për një jetë të re në Krishtin e ringjallur. Darka e Zotit (kungimi ose eukaristia) është sakramenti i dytë nëpërmjet të cilit e ripërtërijmë besëlidhjen tonë me Krishtin dhe kujtojmë flijimin e Tij për ne. Buka përfaqëson trupin e Krishtit të kryqëzuar për ne, ndërsa vera përfaqëson gjakun e Krishtit të derdhur për ne. Nëpërmjet kungimit ne, me mirënjohje, e ripërtërijmë unitetin tonë me Krishtin dhe me njëri-tjetrin dhe shpallim se presim që Krishti të kthehet përsëri. Besimtari, sipas zgjedhjes dhe bindjes së vet, pagëzohet një herë e përgjithmonë, ndërsa Darka e Zotit shërbehet rregullisht, sipas rendit të vendosur nga secila kishë.
Martesa
Besojmë se martesa është institucion i vendosur nga Perëndia (heteroseksual dhe monogam) ndërmjet një burri dhe një gruaje.
Lavdia vetëm Perëndisë
Besojmë se vetëm Perëndisë i takon lavdia dhe prandaj vetëm Perëndinë — Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë — e adhurojmë dhe vetëm Atij i shërbejmë.
Shpëtimi
Nëse dëshironi të flisni me ne për shpëtimin tuaj, ose keni pyetje, na shkruani. ecvorm@gmail.com