Strumica si komunë ka rreth 50.000 banorë dhe është e pasur me monumente e objekte historike, përkujtimore dhe fetare. Megjithatë, vështrimi më karakteristik janë “Kullat e Carit”, që janë dëshmi e kohërave të trazuara të mesjetës. Kullat e Carit përfaqësojnë muret e trasha dhe fortesat mbi qytet. Kjo fortesë ndodhet në anën jugore të qytetit, në platonë e sheshtë në majë të kodrës, e cila ngrihet mjaft pjerrët mbi qytet. Kjo platò ndodhet në lartësi mbidetare prej 445 metrash dhe prej andej është e mundur pamja dhe kontrolli mbi tërë fushëgropën e Strumicës. Platoja mund të mbrohej më lehtë edhe po të mos ishte e fortifikuar, sepse është e rrethuar nga të gjitha anët me pjerrësi. Një pozicion i tillë i fortesës i mundëson asaj të kontrollojë njëkohësisht tri hyrjet e qytetit.
Periferia e qytetit shtrihej në rrëzën veriore të kodrës, në terrasën e lartë ku sot shtrihet pjesa më e vjetër e Strumicës. Edhe ajo ishte e rrethuar me mure, ndërsa jashtë kësaj hapësire shtrihej nekropoli. Në këtë pjesë u zbuluan varre nga koha helenistike (shekulli III p.e.s.) dhe nga periudha romake (shekulli III e.s.).
Kalaja kishte një bazë specifike drejtkëndëshe, të madhe 21,60 × 8 metra. Në tërë hapësirën e fortesës gjenden themele shtëpish banimi dhe ndërtesash më të mëdha me karakter tjetër. Sipërfaqja e kalasë është 3.654 m².